Kandidati i pavarur i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet në Shqipëri, Boiken Abazi ka shprehur dyshimet e tij për vjedhjen e votës në Qarkun e Tiranës.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se rezultatet paraprake tregojnë se kanë marrë vota në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës, në qytet e në fshat, nga Shën Gjergji në Rrogozhinë, nga Vora në Kavajë, nga Kamza në lagjet e qendrës së Tiranës.
“Kjo është edhe arsyeja pse shumica e votave tona janë shpallur të pavlefshme duke vendosur një “X” të dytë në fletën e votimit, ose duke ia kaluar subjekteve të tjera politike (kryesisht te PS). Për këtë krim elektoral tashmë kemi grumbulluar mjaftueshëm prova nga vëzhguesit tanë”, shkruan Abazi.
Ai ka bërë të ditur se deri tani janë shpallur mbi 81.000 vota të pavlefshme në rang vendi dhe mbi 17.000 vota të pavlefshme vetëm në Tiranë.
“Të vendoset drejtësi për krimin elektoral! S’është larg mendsh ta kemi fituar mandatin në Tiranë. Pas vjedhjes industriale që na kanë bërë, i kemi tashmë rreth 3.000 vota në Qarkun Tiranë sipas rezultateve paraprake të KQZ-së. Ne do të kërkojmë hetim të plotë dhe rinumërim në të gjithë Qarkun e Tiranës për të gjitha qendrat e votimit! Drejtësia duhet të veprojë ndaj atyre që kanë vjedhur vullnetin e qytetarëve. Ekipi ynë ligjor ka dalë në përfundimin se ekziston realisht mundësia ta kemi fituar mandatin në Tiranë”, shkruan Abazi.
Ndryshe, sipas rezultateve të KQZ-së, kandidatët e pavarur të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje Boiken Abazi, Iliaz Shehi, Kreshnik Merxhani nuk kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. /Gazeta Sinjali/