Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë thirrje që deputetët të përkrahin iniciativën që t’u mundësohet qytetarëve tërheqja e 30 për qind të shumës së Trustit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka vlerësuar se qytetarët e kanë të drejtë qytetare të përvetësojnë mjetet në kohë krize.
“Logjika e Trustit është kursim personal nga të hyrat e qytetarëve, prandaj ne e vlerësojmë se është e drejtë qytetare përvetësimi i këtyre mjeteve në kohë krize. U bëj thirrje deputetëve që ta mbështesin Ligjin që u mundëson qytetarëve tërheqjen e 30 % të shumës së trustit. Nuk duhet që në gjendje të jashtëzakonshme të sillemi zakonshëm!” ka shkruar ai.
Iniciativa për tërheqjen e mjeteve të Trustit, për herë të dytë, pas dhjetorit të vitit 2020, u nis nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Propozimi s’është përkrahur nga pushteti.
Të mërkurën, në Komisionin për Buxhet raportuan përfaqësues të Trustit. Sipas tyre, iniciativa për tërheqje të mjeteve nga Trusti duhet të jetë masa e fundit që mund të shqyrtohet.