Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një konference për media ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me përpilimin e buxhetit të vitit 2023.
Sipas shefit të Grupit Parlamentar nga kjo parti, Besnik Tahiri, Qeveria e Kosovës nuk e ka futur në buxhet qëllimisht Ligjin e Pagave, duke mos e miratur këtë ligj paraprakisht në Kuvend.
“Qeveria i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publikë, 80 mijë familje, duke ju thënë se do të sjellë Ligjin e Pagave, të cilën nuk e ka sjell dhe mbi të gjitha duke mos e vendosur në buxhet vijën e cila do të fuste në zbatim këtë vit ligjin dhe njëkohësisht vlerën e koeficientit”, ka thënë ai në një konferencë për media.
“E kanë luajtur një lojë shumë të ulët duke mos e sjellë Ligjin e Pagave paraprakisht në mënyrë që me thonë se në buxhet të vitit 2023 nuk mund ta fusim buxhetin për Ligjin e Pagave dhe koeficientin për shkak se nuk është miratuar ligji”.
“Kjo është një ndër mashtrimet më të mëdha që kjo qeveria ja bënë 80 mijë familjeve dhe mbi të gjitha është goditje e madhe që i bëhet shërbimit publik, njerëzve të cilët nuk mund me rrogën e tyre as pushimin e drekës ta kryejnë e lëre më diçka tjetër”, tha Tahiri.