Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu disa ditë më parë ka propozuar që t’iu mundësohet qytetarëve të tërheqin një përqindje të caktuar nga Trusti Pensional, në mënyrë që të tejkalohet kriza ekonomike.
Ky propozim i Haxhiut ka marrë mbështetjen e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se e konsideron hap urgjent aprovimin e vendimit që lejon qytetarët që të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga Trusti.
Haradinaj tha se në këtë situatë të jashtëzakonshme duhet të merren vendime të jashtëzakonshme.
“Qytetarët në Kosovë janë në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale. Shtrenjtimi i artikujve elementarë për jetesë, ka shtyer shumë kategori që të përballen gjithnjë e më shpesh me mbijetesën ekonomike. Prandaj e konsideroj si hap të parë urgjent, aprovimin e një vendimi që lejon qytetarët të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga trusti pensional. Situata është e jashtëzakonshme, prandaj edhe vendimet duhet të jenë të jashtëzakonshme. Natyrisht krahas kësaj mase, qeveria duhet të mendoj edhe për masa të tjera, në këtë kohë vështirë të përballueshme për qytetarët“, tha ai.
Kujtojmë që në korrik të vitit 2020, është miratuar projektligji për tërheqjen e 10 përqindshit nga Trusti Pensional.
Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-ës, Fondi i Kursimeve Pensionale, ka njoftuar se nga Trusti janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.
“Gjatë këtij gjashtëmujori u përmbyll me sukses edhe procesi i tërheqjes së 10%-shit, përmes të cilit 427,363 kontribuues i tërhoqën mbi 198 milionë euro, me fitim mesatar prej 24.2%“, thuhej në njoftim.