Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që çështja e ngritjes së çmimeve të diskutohet në kuvend dhe të miratohet ligji i pagave, shkruan Gazeta Sinjali.
“Përmes kësaj konference e njoftojmë opinionin se AAK, dje ka kërkuar nga kuvendi një debat parlamentar në raport me një ndër temat më të rëndësishme në këtë kohë të qytetarëve, ngritjen e çmimeve enorme të produkteve esenciale dhe produkteve tjera. Presim që kryesia e kuvendit të Kosovës të adresojë këtë temë, në mënyrë që kjo temë të diskutohet aty ku e ka vendin, pra në Kuvendin e Kosovës”.
Tahiri tutje ka thënë se çështja e dytë ka të bëjë me ligjin e pagave, i cili ka kërkuar që me urgjencë të futet në kuvend dhe të miratohet.
“Veprimet dhe masat që janë marrë në raport me një kategori të qytetarëve me gjendje Trust-sociale, janë masa afat shkurte të cilat po merren në një proces zgjedhor dhe nuk po adreson çështjen kryesore me rritjen e pagave”
“Kërkesa jonë është me urgjencë që ligji i pagave që të vjen sa më shpejt që është e mundshme në Kuvend, është ligj i gatshëm, është ligj që është dashtë me ardh”, ka thënë ai./GazetaSinjali/