Ish-kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Komunës së Prishtinës duket se i ka ndarë rrugët me partinë e tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti, Çelaj e ka ndarë mendjen se kë do ta votojë për asamble komunale, që çuditërisht nuk është nga PDK.
Ai ka publikuar një fotografi në Facebook, bashkë me kandidatin e Lëvizjes për Bashkim, Burhan Pajazitin, i cili thotë se do ta përfaqësojë në Kuvendin Komunal.
“Me përfaqësuesin tim në Kuvendin Komunal. Burhan Pajaziti 7. LB (Lëvizja për Bashkim) 140”, shkroi ai në fotografi.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Çelajn për ta pyetur nëse fushata për Lëvizjen për Bashkim është konfirmim për largimin e tij nga PDK.
Ndonëse ai e mohon se është larguar përfundimisht nga kjo parti, ai tha se nuk ka pranuar asnjë ftesë nga dega e PDK-së për ndonjë aktivitet ose për fushatë, ani pse ai është njëri nga themeluesit e saj.
“Unë po bëj fushatë për një kandidat tjetër, që e kam kojshi, dmth shok, kaq. Të tjerat më vonë i komentoj. Jo nuk dmth (që jam largu prej PDK-së). Unë faktikisht po i ndihmoj atyre që më kanë thirrë me ju ndihmu, deri tash, Partia Demokratike, unë jam themelues, por nuk më ka thirrë edhe për asnjë aktivitet dhe asnjë përkrahje. Këtë (Burhan Pajazitin) e kam kojshi, e kam këtu dhe më ka thirr me i ndihmu dhe unë po i ndihmoj”, tha Çelaj për Sinjalin.
Çelaj ka qenë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e kaluara lokale./Gazeta Sinjali/