Shefi i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Blerim Feka, është përfshirë në një ngatërresë me babain e një foshnje që ndodhet në trajtim mjekësor në këtë institucion shëndetësor publik, raporton Gazeta Sinjali.
Në pamjet e siguruara nga Gazeta Sinjali shihet Feka teksa debaton me prindin e foshnjës, i cili kërkon nga mjeku që të lejojë ta shohë fëmijën e tij të sëmurë.
Sipas qytetarit, mjeku gjinekolog nuk ka pasur sjellje të hijshme karshi gruas e cila i është drejtuar Fekës për komunikim dhe i njëjti dyshohet të ketë bërtitur nëpër spital.
“A është në rregull ti si shef i repartit me ba kësi sjellje. A është në rregull? Unë e kom fminë smutë o burrë, unë po du me hi me pa fminë, ti po thu, p’i bërtet nji gruje që është t’u folë drejtpërdrejtë me ty. Ajo e ka çikën mrena t’bome operacion, fmija është me probleme me frymëmarrje, ti po bërtet në mes të sallës. A është në rregull prej teje doktor? Shef i repartit i thu vetit. A është në rrëgull”, dëgjohet teksa qytetari kërkon llogari nga gjinekologu Feka.
E ky i fundit, si duket nuk mund ta durojë më gjatë familjarin e pacientit dhe i vërsulet ta sulmojë, teksa shihet qartazi në video se ia godet telefonin me të cilin po xhironte. Po ashtu gjatë zënkës dëgjohen edhe të shara me nënë nga Feka.
“Kënd po e inicizon ti rrugës”, dëgjohet duke thënë Feka, i cili tenton t’ia largojë telefonin qytetarit që po e incizonte.
“Hima hima, unë babën e kom polic. Qetash ti thirri Policinë. Ti s’e Meriton me qenë Shef i Repartit”, thotë qytetari.
“A ti mu ma q*n nanën a?’, i përgjigjet qytetari Fekës, teksa e paralajmëron se ai nuk do të jetë më pjesë e këtij reparti pasi do ta denoncojë rastin në media dhe në organet e rendit.
Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me mjekun Blerim Feka, por nga ordinanca e tij nuk kanë pranuar që të japin komente lidhur me rastin e as nuk e mundësuan komunikimin direkt me doktorin.
Po ashtu është kontaktuar edhe Policia e Kosovës, me ç’rast zëdhënësi i Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për Sinjalin se nuk ka ende informacione lidhur me atë se çfarë ka ndodhur.
Kujtojmë se ndaj dr.Blerim Feka edhe më parë kishte ankesa dhe për këtë kishte raportuar Gazeta Sinjali, ku një grua kishte deklaruar se gjinekologu Feka, kishte reaguar me nervozizëm të madh dhe e kishte kontrolluar në shpejtësi të madhe, teksa ajo po ndiente dhimbje në stomak dhe se i njëjti kishte sjellje arrogante ndaj saj.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.