image A rrezikohen shqiptarët nga konflikti i mundshëm Rusi-Ukrainë? Kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve flet për Sinjalin

Siguri

A rrezikohen shqiptarët nga konflikti i mundshëm Rusi-Ukrainë? Kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve flet për Sinjalin

news image

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po vlerësohet se mund të bëhet nga momenti në moment, andaj edhe forcat ushtarake ukrainase ka disa ditë që janë mobilizuar.

Në Ukrainë raportohet se ka edhe një numër të madh të shqiptarëve, andaj në lidhje me këtë Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Kryetarin e Shoqatës “Bashkimi Shqiptarëve të Ukrainës”, Aleksandr Dermentli.

Dermentli për Sinjalin ka thënë se për momentin shqiptarët janë larg zonës së konfliktit.

Shqiptarët e Ukrainës janë larg zonës së konfliktit. Nuk ka panik, po zhvillohet një luftë informacioni, është përshkruar një krizë në marrëdhëniet SHBA-Rusi, në të cilën është përfshirë Ukraina”, deklaroi Dermentli.

Po ashtu, Aleksandr Dermentli tha se pjesë e ushtrisë dhe policisë Ukrainase është edhe një numër i shqiptarëve.

Po ka, por tani ky informacion është i mbyllur”, tregoi ai.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se tashmë forcat ushtarake ruse i janë afruar Ukrainës.

Kurse, së fundmi edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të mos udhëtojnë në Ukrainë, ndërsa kërkon nga ata që janë atje, të largohen menjëherë.

Kjo ministri ka theksuar se ka një rrezik të besueshëm sipas të cilit situata do të përshkallëzohet atje, prandaj edhe shqiptarët nuk duhet të udhëtojnë si edhe ata që janë atje duhet të largohen.

Qytetarët shqiptarë ftohen që të informohen përmes kanaleve të komunikimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, njofton ministria.

Përpos Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe ShBA, Gjermania, Britania e Madhe dhe vende tjera u kanë bërë thirrje qytetarëve të vet të largohen nga Ukraina.

/GazetaSinjali/