Familja e Sheremet Danit nga komuna e Skënderajt, deri më tash ka pasur katër anëtarë të familjes të infektuar me koronavirus, të cilët tashmë janë shëruar.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Sheremeti thotë se së fundmi, djali i tij Dibrani, ka qenë i sëmurë me COVID-19. Ai ishte vetizoluar për 14 ditë, deri të enjten, më 2 shtator, kur kishte bërë testin dhe kishte rezultuar negativ në COVID-19.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, të hënën, më 31 gusht, ka deklaruar se “Policia e Kosovës do të bëj kontrollin e personave, të cilët janë në listën e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, si të infektuar, për t’u siguruar që ata që nuk kanë nevojë për trajtim mjekësor, të vetizolohen në shtëpitë e tyre dhe po ashtu, ata të cilët kthehen në Kosovë dhe nënshkruajnë nën betim deklaratën për vetizolim, të sigurohemi që ata i përmbahen këtij obligimi”.
Por, Sheremet Dani thotë që as para vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për verifikimin e personave të vetizoluar për shkak të infektimit, si dhe as pas këtij vendimi, djalin e tij nuk e ka vizituar dhe as telefonuar askush. Sipas tij, pavarësisht se djali i tij kishte qëndruar i vetizoluar, këtë fakt nuk e kishte verifikuar asnjëherë as policia dhe as institucionet shëndetësore.
“Askush nuk e ka thirrë… asnjë njeri, fare. As policia, as këta të shëdetësisë nuk kanë ardhur të pyesin nëse jeni më mirë, a keni nevojë për ndonjë ndihmë. Por, pasi që ai (djali i tij) i kreu 13 ditë në vetizolim, ditën e 14-të, tha se do të shkonte ta bënte testin në institucion të shtetit këtu. E bëri testin dhe i doli negativ”, tha Sheremet Dani.
Policia: Kemi kapacitete për të mbikëqyrur të vetizoluarit
Zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë deklaruar se policia ka kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për t’i mbikëqyrur personat e infektuar me COVID-19 dhe që janë të vetizoluar në shtëpitë e tyre.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, orari i punës i Policisë së Kosovës është zgjatur nga 8 në 12 orë.
Policia e Kosovës, përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, më 31 gusht, ka thënë që “ka angazhuar në terren zyrtarët policorë në rroba civile, të cilët operojnë në nivel vendi”, për t’u kujdesur për zbatimin dhe respektimin e masave, përfshirë përdorimin e maskave nga ana e qytetarëve, si dhe “respktimin e masës për vetizolim të pesonave që nënshkruajnë deklaratën në betim për vetizloim”.
Po atë ditë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se policia ka kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e masës së kontrollit të personave të vetizoluar.
“Për momentin po, sepse jemi me orarin 12 orë (punë) dhe angazhimi i personelit policor është në numër më të madh. Kështu që po arrijmë që t’i realizojmë detyrat që janë përcaktuar”, tha Kelani.
Ai nuk ka dashur të komentojë detajet lidhur me atë se a do të zbatohet masa e mbikëqyrjes së personave të infektuar me COVID-19, që janë të vetizoluar në shtëpitë e tyre, përmes vizitave të policisë në ato shtëpi, përmes thirrjeve telefonike apo në ndonjë formë tjetër.
Më 3 shtator, Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se zyrtarët policorë kanë intensifikuar angazhimin për kontrolle të personave me masën “vetizolim”.
“Kontrollet po realizohen nga zyrtarë policorë të uniformuar dhe në rroba civile, me qëllim të verifikimit që masat e shqiptuara për persona në vetizolim, të jenë në përputhje me afatin e përcaktuar kohor nga institucioni kompetent”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Ibishi: Policia e stërngarkuar, qasje e gabuar
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë që praktikat kur policia mbikqyrë personat e vetizoluar ekzistojnë, ndonëse sipas tij jo të shumta. Por, sipas tij, angazhimi i policisë për të mbikqyrur personat e vetizoluar, është qasje e gabuar nga institucionet qeveritare.
Ai vlerëson që angazhimi i policisë për të mbikqyrur rastet e vetizoluara për shkak të infektimit me COVID-19, mund të lë zbrazëti rreth angazhimit të saj për të siguruar vendin dhe për të parandaluar dhe luftuar kriminalitetin.
Ibishi shpreh mendimin që Policisë së Kosovës i janë ngarkuar detyra që nuk janë fare në mandatin e saj. Siç thotë ai, policia duhet të merret me asistencën e institucioneve, në këtë rast inspekcioneve shëndetësore, të cilat sipas tij, janë ato që duhet t’i shqiptojnë masat.
“Policia, në vend se të merret me asistencë, me masa që sigurojnë zbatimin e një shërbimi – në këtë rast, shëndetësor, për të cilën është i obliguar inspektori që të bëj gjobën ose të mbikëqyrë – policia po e merr këtë rol. Kjo është totalisht e pakuptueshme. Ne, policinë e kemi stërngarkuar. Policia, duke u angazhuar në detyra dytësore, që fare nganjëherë nuk janë në mandatin e saj, po e lëshon një detyrë shumë të rëndësishme në parandalimin dhe luftimin e krminalitetit, gjë që është shqetësuese”, tha Ibishi
Shala: Policia ka mandat ligjor për të zbatuar masat anti-covid
Njohësi i çështjeve juridike, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson që Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që është miratuar në gusht të vitit të kaluar nga Kuvendi i Kosovës, i jep të drejtën qeverisë së vendit që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, përfshirë edhe zbatimin e vendimeve të saj nga policia.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Shala thekson që sipas ligjit, Policia e Kosovës është institucion që ka për mandat monitorimin e zbatimit të masave të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, përfshirë edhe verifikimin e personave të vetizoluar për shkak të COVID-19.
“Neni 23 i Ligjit për parandalimin e COVID-19, thotë se zbatimin e të gjitha masave të përcaktuara me këtë ligj e siguron Policia e Kosovës dhe inspektoratet e tjera relevante. Andaj, në drejtim të monitorimit të këtyre masave, e rëndësishme është që bashkërisht, secili institucion, mundet që të ushtrojë autorizimet e veta në drejtim të monitorimit të zbatimit të masave anti-covid, të përcaktuar nga qeveria me vendim”, tha Shala.
Në fillim të verës së vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar nga kuvendi që të sigurojë bazë ligjore, që organet tjera të kryenin punën e tyre për parandalimin dhe luftimine e pandemisë, pa e shkelur ligjin.
Shala tha se që nga miratimi i Ligjit anti-covid, në gusht të vitit të kaluar, konsiderohet që Qeveria e Kosovës, sipas bazës ligjore dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, kur ka bërë kufizimin e të drejtave të njeriut, ajo ka vepruar në kuadër të nenit 55 të Kushtetutës. Në harmoni me këtë nen, sipas legjislacionit në fuqi dhe rregullave që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, Shala tha se qeveria nuk është duke bërë shkelje të të drejtave të njeriut./Gazeta Sinjali/