image "A pajtoheni që mësimdhënësit janë analfabetë?", Qalaj dhe Nagavci përplasen në Kuvend

Politikë

“A pajtoheni që mësimdhënësit janë analfabetë?”, Qalaj dhe Nagavci përplasen në Kuvend

news image

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, gjatë seancës së sotme pati një kërkesë për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ai kërkoi nga Nagavci që të deklarohet “se a pajtohet që mësimdhënësit janë analfabetë”.

“Ministre deklarohu të lutem para deputetëve dhe qytetarëve: a pajtoheni se mësimdhënësit tanë janë analfabetë, ashtu siç kanë deklaruar eksponentët e afërt me ju apo qeverinë dhe ndonjë bashkëpartiak i juaji e deputet. Nëse mësimdhënësit janë analfabetë sic po thonë eksponentët e afërt me ju, atëherë cilat janë masat që do ti ndërmerrni ndaj universiteteve publike, sidomos ndaj UP-së, duke e ditur se  gati 100 për qind e këtyre mësimdhënësve kanë diplomuar aty”, tha Qalaj.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar vetë Nagavci.

“I nderuar deputet ka përfunduar koha kur ju mund të flisni çfarë të keni dëshirë, në mënyrë që të mendoni se i bindni të tjerët për të pavërtetat. Nëse ke ndonjë dyshim adresoje, njëjtë qysh i kam adresu unë dyshimet për keqpërdorime. Para se të jem ministre, unë kam qenë mësimdhënëse, kam punuar më shumë se 20 vite si mësimdhënëse dhe jam vajzë e dy mësimdhënësve. Kam pasur fatin e mirë që gjithë jetën time të jem e rrethuar me mësimdhënës të mirë që kanë ndikuar në formësimin tim”, tha Nagavci.

Tutje tha se respekton “pjesën dërrmuese të mësimdhënësve”, ndërsa shtoi se ndjen keqardhje për “situatën e krijuar”.

“Respekt e mirënjohje për pjesën dërrmuese të mësimdhënësve, keqardhje për situatën në të cilën na kanë sjellë ndërhyrjet brutale, në radhë të parë të PDK-së e pastaj të tjerëve, në arsim”, përfundoi Nagavci. 

/GazetaSinjali/