image A mund të veprojë koronavirusi drejtpërdrejt në tru?

Shëndeti

A mund të veprojë koronavirusi drejtpërdrejt në tru?

news image

Dhimbjet e kokës dhe konfuzioni te disa nga të sëmurët me COVID-19 mund të jenë rezultat i një depërtimi të drejtpërdrejtë të koronavirusit në tru, sipas rezultateve të një studimi.

Sipas hulumtimit të udhëhequr nga imunologu Akiko Iwasaki nga Universiteti Yale, virusi është i aftë të shumëzohet brenda trurit dhe prania e tij heq oksigjenin nga qelizat e trurit afër, por përmasat e fenomenit nuk janë ende të qarta.

Andrew Josephson, kreu i Departamentit të Neurologjisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisco, tha se ishte “jashtëzakonisht e rëndësishme për të përcaktuar nëse ekziston apo jo një veprim i drejtpërdrejtë viral në tru”.

Sidoqoftë, ai shton se dëshiron të jetë i kujdesshëm duke marrë parasysh që përfundimet nuk janë shqyrtuar nga ekspertë të tjerë të fushës.

Ekspertët besojnë se nuk është krejt e papritur që virusi SARS-CoV-2, i cili shkakton COVID-19, mund të kalojë nga gjaku në indin e trurit dhe të kapërcejë këtë pengesë fizike, detyra e së cilës është të ndalojë depërtimin e substancave të huaja në tru.

Doktorët deri më tani kanë besuar se efektet neurologjike që shihen në gjysmën e të sëmurëve me COVID-19 janë rezultat i një reagimi të tepërt të sistemit imunitar i njohur si një stuhi citokine që gjithashtu shkakton inflamacion të indeve të trurit sesa depërtim të drejtpërdrejtë të virusit.

Duke studiuar indet e trurit të rritura në laborator, ekipi zbuloi se virusi SARS-CoV-2 është i aftë të infektojë qelizat e sistemit nervor dhe më pas të përdorë vetë neuronet për t’u kopjuar.

Qelizat e infektuara bënë që qelizat përreth të vdisnin duke i privuar nga oksigjeni që u duhej për të jetuar.

Një nga argumentet kryesore kundër teorisë së aftësisë së virusit për të depërtuar direkt në tru ishte se trurit i mungojnë nivelet e mjaftueshme të proteinave ACE2 me të cilat lidhet koronavirusi dhe e cila është e bollshme në organe të tjera si mushkëritë.

Sidoqoftë, ekipi zbuloi se kishte mjaft proteinë ACE2 në indet e trurit të rritura në laborator për të lehtësuar depërtimin e virusit dhe se kjo proteinë ekzistonte gjithashtu në indet e trurit të pacientëve të vdekur. Prania e koronavirusit u zbulua në trurin e tre pacientëve që vdiqën nga COVID-19.

Në zonat e infektuara, nuk kishte asnjë shenjë se ato ishin të përshkuara nga qelizat e sistemit imunitar të tilla si qelizat T që nxitojnë në vendet ku viruset e tjerë si virusi zika ose virusi herpes duket se i shkatërrojnë ato.

Kjo sugjeron që një sistem imunitar tepër aktiv, i njohur si stuhia e citokinës, i cili është përgjegjës për pjesën më të madhe të dëmtimit të mushkërive te pacientët me COVID-19, mund të mos jetë shkaku kryesor i simptomave neurologjike te këta pacientë.

Një nga hipotezat e shkencëtarëve ishte se hunda mund të përfaqësojë rrugën e hyrjes së virusit në tru, por autorët e studimit deklarojnë se kjo duhet të konfirmohet nga hulumtimi.

Ata shtuan se më shumë autopsi ishin të nevojshme për të përcaktuar shkallën e dëmtimit të trurit në vdekjet nga COVID-19. /Gazeta Sinjali/