Zyrtarët perëndimorë janë duke i bërë thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj dhe t’i bëjë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka deklaruar më 5 mars se ka marrë garanci se “Kina është e interesuar ta ndalojë këtë luftë”.
“Diplomacia kineze ka mjete të mjaftueshme për të bërë ndryshime. Ne llogarisim se ajo tashmë është përfshirë dhe se përpjekjet e saj do të jenë të suksesshme”, ka thënë Kuleba.
Deklaratës së tij i kanë bërë jehonë edhe zyrtarë të tjerë perëndimorë, si kryeministri australian, Scott Morrison, i cili ka kërkuar nga Kina që t’iu bashkohet përpjekjeve për të ndaluar konfliktin, dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili i ka thënë gazetës spanjolle “El Mundo” se Pekini mund të jetë një ndërmjetës në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.
“Ne [evropianët] nuk mund të jemi ndërmjetës, kjo është e qartë… Dhe, nuk mund të jenë as [Shtetet e Bashkuara]. Kush tjetër? Duhet të jetë Kina, unë besoj në këtë”, ka thënë Borrell.
Roli i mundshëm i Pekinit në ndërmjetësimin e paqes është në qendër të vëmendjes kryesisht për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Kremlinin, por disa ekspertë dhe diplomatë vënë në pikëpyetje kredencialet e Kinës, motivimin dhe levat.
“Kina nuk ka gjasa të luajë ndonjë rol serioz ndërmjetësues në Ukrainë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ryan Hass, bashkëpunëtor i lartë i Institutit Brookings, me seli në SHBA./rel