Ish-emisari special për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, nuk ka pohuar e as mohuar pretendimet e Arben Gashit të LDK-së, se ai ka ndikuar në rrëzimin e Qeverisë Kurti vitin e kaluar.
Grenell përmendi edhe pretendimet se si pikërisht ai kishte meritë në rrëzimin e qeverisë së kaluar të Kurtit sepse gjoja ka i dhënë LDK-së prej një jave që ta rrëzojnë të njëjtën.
“Gjithmonë kemi pyetje të njëjta prej mediave. Duhet të shikoni në të ardhmen, jam përgjigjur në këtë pyetje disa herë. Jo nuk kam thënë këtë, i kam shpjeguar liderëve në Kosovë në mënyrë të qartë, se cila ishte politika amerikane dhe se nuk do të shfrytëzojmë paratë e tatimpaguesve tanë të investojmë në politikë dhe programet të cilat qeveria e Kosovës po i minon me taksa prej 100 për qind”.
“I kam thënë liderëve të Kosovës në mënyrë të qartë se kjo nuk është politikë e mirë ekonomike dhe se ne këtë nuk do ta mbështesim, dhe ata vet kanë llogaritur se do të duhet të marrin vendime politike pa mbështetje të SHBA. Unë kurrë nuk kam propozuar çfarëdo vendimi politik”, ka shpjeguar Grenell në një paraqitje për media.
7 ditë kohë i kishte dhënë LDK-së, ish i Dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti 1. Kështu ka treguar Shefi i Grupit të Kuvendit të LDK-së, Arben Gashi.
Sipas tij, ka pasur mesazh të qartë nga Grenell drejtuar LDK-së për këtë çështje dhe se sa herë kalonin ditët pa ndodhur gjë, presioni rritej.
“Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe çdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6 , 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, tha Gashi në Kanal 10.