Ministri francez i Shëndetësisë, Oliver Veran, ka këshilluar personat të cilët dyshojnë se janë infektuar nga virusi COVID – 19, që të mos përdorin ilaçe kundët inflamacionit, pasi sipas tij, ato vetëm e përkeqësojnë gjendjen e të prekurve.
“Përdorimi i ilaçeve anti-inflamatore mund të jetë një faktor për përkeqësimin e infeksionit. Në rast të temperaturës së lartë, përdorni paracetamol. Nëse tashmë jeni duke marrë ilaçe anti-inflamatore, kërkoni këshilla nga mjeku”,ka shkruar Veran në Twitter.
Se nuk duhet të përdoren ilaçet anti-inflamatore për sëmundjen ngjitëse e kanë konfirmuar edhe zyrtarët shëndetësorë, pasi, thonë ata, këto ilaçe kanë prirje për ta dobësuar përgjigjen e sistemit imunitar të trupit ndaj infeksionit.
Kështu, Ministria e Shëndetësisë apeloi që pacientët të zgjedhin paracetamolin, përshkak se ky ilaç zvogëlon temperaturën pa e kundërsulmuar inflamacionin.
Pacientët francezë janë detyruar të këshillohen nga farmacistët që nga mesi i janarit, nëse duan të blejnë ilaçe të popullarizuara kundër dhimbjeve, përfshirë paracetamolin, brufenin dhe aspirinën, në mënyrë që të paralajmërohen për rrezikun.
Jean-Louis Montastruc, kryetar i sektorit të farmakologjisë në spitalin e Tuluzit, tha: “Ilaçet anti-inflamatore e rrisin rrezikun e ndërlikimeve, kur pacienti përballet me temperaturë të lartë apo infeksion”.
Franca tashmë ka marrë vendim për mbylljen e shkollave, ndërsa ministri i arsimit ka premtuar se do të fillojë mësimi përmes internetit, shkruan “The Guardian”./Gazeta Sinjali/