image A do t’u besohet grave udhëheqja e komunave

Politikë

A do t’u besohet grave udhëheqja e komunave

news image

Partitë politike kanë filluar të zyrtarizojnë kandidatët me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen vjeshtën e këtij viti.

Nga pak emrat që tashmë dihen, ende nuk ka gra të cilave partia u ka besuar udhëheqjen e komunave.

Shoqëria civile po kërkon nga partitë politike që të kandidojnë më shumë gra në zgjedhjet lokale, sidomos për pozitën e kryetares së komunës.

Pjesëmarrja e grave në zgjedhje dhe nominimi i tyre për të drejtuar komunat, po konsiderohet e domosdoshme. Njësoj edhe ndalimi i praktikës së votës familjare, për t’u dhënë mundësi pastaj grave të kërkojnë votën dhe të dëshmohen në udhëheqjen lokale.

Udhëheqësja e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli thotë se fillimi i prezantimit të kandidaturave i ka lënë të zhgënjyer.

“Tashmë është e tejkaluar dhe është qesharake ai argumentimi i partive politike se nuk kemi gra për t’i vendosur si kandidaturë për zgjedhje lokale, nuk është e vërtetë, veç e shohim tash krejt Parlamenti është plot gra të zonja, kemi gra të zonja gjithandej, është absurde një argumentim i tillë, nuk kemi gra me i vendosë, është ajo lidhja vëllazërore, është çështje e biznesit, është çështje e interesave, është çështje e pushteteve lokale, është e votës familjare sepse e kanë më të lehtë të kyçen me atë votën familjare një votë një shtëpi, shkon flet në odë me plakun e katundit, ia siguron votat dhe është krejt e thjeshtë qysh vjen pastaj në ato pushtete lokale, por është shumë keq”, thotë ajo.

Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP, thotë se partitë nuk po e japin shembullin e duhur duke kandiduar në përqindje më të madhe burra.

“Faji pse nuk kemi gra në pozitën e kryetares së komunës vjen pikërisht për faktin që partitë politike e shpërfillin parimin që të ofrojnë edhe emra grash në listat e tyre për kryetar të komunave, sepse në kuvende komunale është për obligim ligjor që të ketë së paku 30%, por ky obligim ligjor nuk i detyron te propozimet për kryetar të komunave.”

“Ndërkaq, përjashtuar aspektin ligjor, brenda parimeve të qeverisjes së mirë do të duhet që partitë̈ politike të propozonin edhe gra për të udhëhequr me komunat dhe kjo padyshim që do të reflektonte mirë edhe në pikëpamje të imazhit të vendit”, thotë ai për KP.

E Qëndrim Arifi nga organizata INPO, thotë se gratë nuk janë pjesëmarrëse në masë të duhur edhe në takimet për buxhet e dëgjime të tjera të organizuara nga komunat.

“Përveç që është e nevojshme, është e domosdoshme pjesëmarrja e gruas në zgjedhje, pjesëmarrja e gruas në përfaqësime të ndryshme qoftë lokale, qoftë qendrore, mirëpo është e domosdoshme edhe t’i prijë një komune të caktuar një grua…”

“Dimë që pak gra e pak burra marrin guximin të vetkandidohen si kandidat të pavarur sepse këtu është dominonte çështje partiake dhe e ke vështirë të depërtosh nëse nuk je i propozuar ose e propozuar nga një parti politike, kështu që e vetmja mënyrë është të propozohen kandidatet gra nga partitë politike. Ne duhet t’i rrisim standardet e zhvillimit si shoqëri dhe të përfaqësohemi edhe nga gratë në të gjitha sferat”, thotë ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave ka takuar partitë politike për konsultim rreth datës së zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në muajin tetor./Gazeta Sinjali/