Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është deklaruar pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, që njohu pavarësinë e dy rajoneve brenda territorit të Ukrainës.
Vuçiq ka thënë se pas këtij veprimi të Putinit, presionet ndaj Serbisë do të jenë më të mëdha së kurrë.
Ai ka thënë se pas vendimit të fundit të presidentit rus, do të rrënohet komplet arkitektura e sigurisë në botë dhe askush nuk dihet se si do të sillet dhe çfarë do të bëjë.
“Ajo çka kam përjetuar në tri ditët e fundit tregon se çka mund të presim dhe se ajo që pason nuk do të jetë aspak e lehtë për Serbinë. Mendoj se me këtë ndryshon rendi botëror, në të cilin fuqitë do ta kthejnë dominimin në njërën anë, do të ketë disa superfuqi dhe qendra të fuqisë ekonomike dhe politike” ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka bërë edhe një koment interesant për mediat duke dashur të distancohet nga qasja e tyre pro-ruse.
“Kur i shihni titujt në mediat tona do ta shihni se në 80 përqind të mediave nuk ka asnjë objektivitet, por janë në anën ruse çfarëdo që ndodhë, sikur që 20 përqind janë në anën e Perëndimit. Në këso kushte të tensioneve politike të gjithë ne i bëjmë dëm vetit, në vend se të jemi vetëm me vetveten, të jemi të qetë, që në një krizë të madhe botërore të tërhiqemi vetëm me gërvishtje. Nëse këtë nuk mund ta bëjmë, te ne gjithmonë ka pasione, tifozëri dhe nga kjo vështirë se do të shërohemi” ka thënë ai.
Vuçiq ka thënë se ndaj Serbisë do të fillojnë presione të mëdha me kërkesën që të vendosen sanksione ndaj Rusisë, duke thënë se tashmë ka pasur thirrje të tilla por që ka thënë se do u bëjë ballë.
“Kur nuk mund t’i bëjnë dikujt diçka që është më i fortë atëherë i kthehen atij që është më pak i fortë” ka thënë ai.