Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka diskutuar për mënyrën e vazhdimit të punës pas rrethanave të reja të krijuara me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast u tha se Komisioni Hetimor duhet të vazhdojë punën edhe në legjislaturën e ardhshme dhe mos t’i dërgohet një raport Kuvendit, por vetëm të votohet një draft ku legjislatura e ardhshme do të kishte një pikënisje për punën e deritanishme.
Komisioni gjithashtu vendosi që të përmbyllë fazën e intervistimit dhe të kalohet në fazën e përpilimit.
Deputetët thanë se edhe pse puna e tyre është përfunduar vetëm 30 për qind, prokuroria ka bazë në dokumentacionet e tyre që të iniciojnë kallëzime penale.
Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri, i paraqiti dy mundësitë që komisioni para shpërndarjes së Kuvendit të paraqesë një raport dhe të votohet ose të vazhdohet hetimi në legjislaturën e ardhshme.
“Më mirë është të lihet i hapur për legjislaturën e ardhshme, pasi nëse e përfundojmë shpejt e shpejt raportin, atëherë ai do të kishte mangësi”, tha ai.
Këtë kërkesë e mbështeti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se deri më tani kanë intervistuar vetëm 30 për qind të dëshmitarëve dhe se hetimet duhet të vazhdojnë në mandatin tjetër.
Vazhdim të hetimit në mandatin e ardhshëm kërkoi dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, por tha se edhe me këtë dokumentacion mund të iniciohet procedura penale.
Kërkesë të njëjtë kishte edhe deputeti Milaim Zeka dhe ai i AAK-së, Shkumbim Demaliaj.
Në fund u tha se para votimit të mënyrës si të vendoset, duhet të mbahen edhe dy mbledhje për të votuar mbi mënyrën se si do të vendoset./Sinjali/