image A do të bisedojë me Zelenskyn për njohjen e Kosovës, përgjigjet kryeministri Rama

Politikë

A do të bisedojë me Zelenskyn për njohjen e Kosovës, përgjigjet kryeministri Rama

news image

Këtë të martë pritet që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky të vizitojë Shqipërinë. Ai do të marrë pjesë në dy samite të rëndësishme të cilat do të zhvillohen në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt.

Për këtë vizitë të rëndësishme si dhe për dy samitet që do të zhvillohen, i pari me fokus Ukrainën dhe i dyti me fokus Ballkanin Perëndimor, ka folur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai teksa foli për pritshmërinë e tij rreth takimeve dhe samiteve me rëndësi që do të zhvillohen në këtë javë, tregoi nëse do të bisedohet me Zelenskyn për njohjen e pavarësisë së Kosovës?

“Dëgjoni, gjëja më e fisme që Kosova po bën është se po tregohet besnike ndaj vlerave të saj. Kjo e nderon Kosovën dhe nuk bëhet për të përfituar diçka. Kosova po bën gjënë e duhur, fillimisht për veten e saj, sa i takon besnikërisë ndaj vlerave të saj. Sigurisht, rruga drejt njohjes nga Ukraina është e gjatë, por është pozitive që Kosova do jetë pjesëmarrëse. Presidentja Osmani ju përgjigj shumë shpejt ftesës dhe do të jemi të gjithë së bashku aty. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, çështjeve të ndërlikuara mes vetes, të gjithë do të jenë aty me Ukrainën, për diçka që na lidh të gjithëve, në mënyra të ndryshme”, tha ai për Euronews Albania.

/GazetaSinjali/