Partia Demokratike e Kosovës shkëlqimin më të madh e arriti kur u udhëhoq nga Hashim Thaçi. Dy herë e mori postin e kryeministrit si dhe drejtoi shumë ministri e komuna të rëndësishme të Kosovës. Me ardhjen e Kadri Veselit në krye të PDK-së, u shënuan disa humbje për këtë parti.
Gazeta Sinjali
Prej largimit të Hashim Thaçit nga PDK-ja, partia ka pësuar humbje të pushtetit në nivelin nacional dhe lokal. Shumë kush dështimet e PDK-së i lidhi me figurën e Kadri Veselit, i cili u zgjodh kryetar i partisë së themeluar nga Thaçi, në vitin 2016.
Pas një viti në krye të PDK-së, Kadri Veseli, u përball me dy palë zgjedhje.
Kur me votat e PDK-së u rrëzua qeveria “Mustafa”, Kadri Veseli, iu nënshtrua testit të parë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ai nuk e mori guximin t’i hynte garës i vetëm por lidhi koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe shumë parti tjera të vogla. Edhe pse kishte nisur fushatën shumë herët, u detyrua t’ia linte postin e kryeministrit, Ramush Haradinajt.
PDK prej zgjedhjeve të vitit 2007, njihej si partia më e madhe në vend, për nga numri i deputetëve dhe përqindjes së votave. Por, pushteti u tkurr në zgjedhjet e kaluara. Atëkohë, PDK arriti t’i fitojë vetëm 23 ulëse në Kuvendin e Kosovës, apo 9 më pak se Lëvizja Vetëvendosje. Pak muaj më vonë, u mbajtën zgjedhjet lokale dhe PDK doli humbëse e atyre zgjedhjeve. Nga 38 komuna sa ka gjithësej Kosova, fitoi vetëm pesë komuna: Dragashin, Drenasin, Shtimen, Ferizajn dhe Kaçanikun, shkruan Gazeta Sinjali.
Zgjedhjet parlamentare, testi i dytë për Kadri Veselin
Sikurse nxënësit dhe studentët që i nënshtrohen provimit apo testit në shtator, ky muaj pritet të jetë sfidues edhe për Kadri Veselin. Kreu i PDK-së ka marrë vendim që t’i largojë nga partia njerëzit që kanë aktakuza, por ata nuk po e përfillin.
Në rast se zbatojnë vendimin e Veselit, atëherë PDK mbetet pa disa njerëz që llogaritet se janë mbledhës të mirë të votave prej vendeve se nga vijnë. Janë të paktën gjashtë të tillë si: Xhavit Haliti, Adem Grabovci, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Sokol Bashota etj.
Kadri Veseli ka deklaruar se zgjedhjet e reja nacionale janë të pashmangshme. Të gjitha partitë politike kanë vendosur që garës t’i hyjnë vetëm, të paktën kështu kanë thënë deri sot. Partitë kryesore në Kosovë kanë vija të kuqe për PDK-në.
Nuk dihet nëse pas Hashim Thaçit, a do të arrijë që Veseli t’ia kthejë postin e kryeministrit PDK-së?
Shtatori është momenti që Veseli ta largojë përfundimisht hijen e Hashim Thaçit në PDK apo të vazhdojë të jetë nën hijen e tij.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ende nuk ka arritur të zhveshet nga e kaluara e tij. Në Kuvendin e Kosovës deputetët e partive opozitare ia kanë përmendur disa herë SHIK-un, temë kjo për të cilën Veseli nuk flet edhe aq. Megjithatë, ai në një moment u kishte thënë deputetëve: “do t’ju ngijë SHIK”. Deri më tani, nuk është parë ndonjë veprim konkret i Veselit për premtimet që ka dhënë.
SHIK-u së bashku me vrasjet e pazbuluara të pasluftës, vazhdojnë të mbesin mister në Kosovë. /Sinjali/