Në vitin 2020 në gjithë botën janë vrarë 65 gazetarë dhe punonjës të mediave, derisa bënin punën e tyre, sipas Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.
Shifra është 17 vrasje më shumë se në vitin 2019 dhe numri i të vdekurve është rreth të njëjtit nivel si në vitet 1990, ka thënë Federata të premten ndërsa publikoi detajet e raportit të saj vjetor mbi vrasjet e gazetarëve, njofton Independent.
IFJ-ja gjithashtu raportoi se më shumë se 200 gazetarë janë aktualisht në burg për shkak të punës së tyre.
Vrasjet e gazetarëve ndodhën në 16 vende të ndryshme.
Për herë të katërt në pesë vjet, Meksika kryesoi listën e vendeve ku u vranë më shumë gazetarë, me 14 vrasje. Pasohet nga 10 vdekje në Afganistan; nëntë në Pakistan, tetë në Indi, katër në Filipine dhe Siri, dhe tre në Nigeri dhe Jemen. Pati edhe dy vrasje në Irak dhe Somali ndërsa Bangladeshi, Kameruni, Hondurasi, Paraguai, Rusia dhe Suedia raportuan të vrarë një gazetar.
Një total prej 2.680 gazetarëve janë vrarë që kur IFJ-ja filloi të regjistrojë vrasjet në vitin 1990.