Çdo ditë numër i konsiderueshëm i aksidenteve rrugore po shënohet në Kosovë. Sipas njoftimit të fundit nga Policia, vetëm brenda 24 orëve të kaluara në vend janë shënuar 55 aksidente trafiku.
Sipas PK-së, zyrtarët e tyre janë duke kryer aktivitete në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve, teksa po ndërmerren edhe masa ndëshkuese për personat e papërgjegjshëm.
“Gjatë 24 orëve të kaluara janë evidentuar gjithsej 55 aksidente në trafikun rrugor, Policia e Kosovës me zyrtarët e saj janë duke kryer aktivitete në teren me qëllim që të parandalohen aksidentet rrugore, por edhe janë duke ndërmarr masa ndëshkuese ndaj atyre personave që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në trafik.”
Brenda këtyre 24 orë të fundit gjithashtu janë konfiskuar 34 patentë shoferë, teksa Policia u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve që të jenë më vigjilent.
“Gjatë 24 orëve të kaluara në këtë fushëveprim në nivel vendi janë realizuar 545 pika kontrolli të automjeteve, përderisa 34 shoferëve iu janë konfiskuar patentë shoferi per shkelje të ndryshme të rregullave në trafik.”
“Apelojmë tek të gjithë shoferët, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuon në zvogëlimin e statistikave të aksidenteve rrugore”, thuhet ndër tjera në apelin e Policisë së Kosovës.