Operacioni i Policisë së Shqipërisë, i koduar “ZOOM”, është duke u zhvilluar me metoda proaktive nga Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, raporton Gazeta Sinjali.
Një 51-vjeçari u filmua nga pajisjet inteligjente duke ujitur bimët narkotike, teksa ruante parcelën i armatosur.
Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas për kultivim të bimëve narkotike, si dhe për përkrahje të autorit të krimit dhe për moskallëzim krimi.
51-vjeçari është shpallur në kërkim nga Policia, ndërsa janë asgjësuar 161 bimë të dyshuara narkotike “cannabis sativa”.
Njoftimi shtesë nga Policia e Shqipërisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të kontrollit të territorit dhe të megaoperacionit “Alpe të Pastra”, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kutivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, kanë zhvilluar operacionin policor me metoda proaktive, të koduar “ZOOM”.
Gjatë operacionit të zhvilluar në fshatin Ivanaj, njësia administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
Gj. D., 51 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
F. Gj., 35 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Përkrahja e autorit të krimit;
L. Gj., 70 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. K., 51 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Bazuar në informacionet e siguruara se në territorin e fshatit Ivan, në një zonë të pyllëzuar, ishin kultivuar bimë narkotike, Policia referoi materialet në Prokurori, e cila regjistroi procedimin penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, u siguruan prova nëpërmjet pajisjeve inteligjente, ku shfaqej shtetasi L. K. (tashmë i shpallur në kërkim), i cili ruante një parcelë ku ishin kultivuar 161 bimë narkotike kanabis dhe vadiste bimët narkotike, në bashkëpunim me shtetasit Gj. D. dhe F. Gj.
Shtetasi L. Gj. kishte djeni për rastin dhe nuk ka kallëzuar krimin, pasi në pronën e tij kalonte tubi i ujit që përdornin shtetasit e lartpërmendur, për të vaditur bimët narkotike.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, ndërkohë që vijon puna kërkimore për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.