Gjatë ditës së sotme në komunat në veri të Republikës së Kosovës janë dëgjuar disa shpërthime të njëpasnjëshme. Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pasur shpërthime e shkrepje armësh, por nuk është raportuar për të lënduar, por vetëm janë demoluar orenditë e zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor, raporton Gazeta Sinjali.
Por një taksist i kompanisë ‘Era’ dyshohet se sot rreth orës 15:00 u përball me sulm fizik nga disa qytetarë serbë te vendi i njohur si Tre Rrokaqiejt.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 28-vjeçari teksa ishte duke kryer punën e tij dhe po priste disa pasagjerë, ka hasur në një grup qytetarësh serbë rreth 50 persona të grumbulluar në lokacionin në fjalë.
Bazuar në dëshminë e tij, tre nga qytetarët që po qëndronin aty i kanë dalë përpara dhe njëri nga ta e ka nxjerrë me forcë nga vetura e tij dhe kanë nisur që ta sulmojnë fizikisht duke e goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë e sulmit, i riu shqiptar ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, teksa rasti është denoncuar edhe në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje ngjarjen.
Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, teksa me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Lëndim trupor’.
Ndryshe, lidhur me situatën në veri është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka thënë se bandat kriminale të paguara nga Serbia, kanë intensifikuar sulmet në veri të vendit.
Sipas tij, do të ketë hetime e ndjekje të kriminelëve që dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, teksa shton se me doemos do ketë prezencë të shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe.