Një 46-vjeçare është drejtuar pranë stacionit policor në Lipjan, për të denoncuar një rast, ku ajo ishte viktimë e kanosjes nga djali i burrit të saj, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se deri tek rasti ka ardhur si pasojë e faktit se e njëjta i ishte drejtuar djalit të burrit të saj, përmes një kërkese me shkrim, duke kërkuar nga ai që t’ia lirojë lokalin e saj, në rrugën “Skënderbeu” në Lipjan.
Mirëpo në përgjigje të kësaj kërkese, djali i burrit të saj, i dyshuari 34-vjeçar dhe vëllai i tij, i cili gjendet jashtë shtetit, e kanë kërcënuar viktimën përmes rrjetit social Viber.
Me të raportuar rastin në Polici, njësitet relevante janë vënë në lëvizje për të lokalizuar të dyshuarin, me ç’rast i njëjti u arrestua sot nga policia, si i dyshuar për veprën penale “Kanosje”.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.