Mbrëmë, një 44-vjeçar me substanca narkotike ka tentuar të hyjë nga Shqipëria në Kosovë, mirëpo i njëjti është arrestuar pasi iu gjetën fara të kanabisit në automjetin që ka qenë duke e vozitur.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se i dyshuari është kontrolluar në detaje nga zyrtarët policorë dhe ata doganorë, të cilët ia kanë gjetur një qese e substanca narkotike.
Sinjali mëson se në atë qese kanë qenë edhe tri qese tjera të ndara, ku dyshohet se ka pasur fara të kanabisit.
Pas matjes së substancës, ka rezultuar që në atë qese kanë qenë mbi 1000 fara të kanabisit dhe pesha e tyre ka qenë mbi 20 gramë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet policore të Prizrenit, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Siç mëson Sinjali, 44-vjeçari më pas është dërguar në qendrën e ndalimit në Prizren për 48 orë, ndërsa vetura i është sekuestruar përkohësisht.