Policia e Kosovës sonte ka gjobitur me nga 200 euro dy taksistë të një kompanie private sonte në Pejë, pasi të njëjtit po punonin gjatë orës policore, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Policia në Pejë për Gazetën Sinjali kanë thënë se arsyeja e shqiptimit të gjobave për dy taksistët është se të njëtit kanë shkelur vendimin e qeverisë për ndalimin e kufizimit pas orës 19:00.
“Po, mund të konfirmojmë se sonte janë gjobitur dy taksistë në Pejë, pasi që të njëjtit nuk e kanë respektuar vendimin e qeverisë për ndalim të lëvizjes pas orës 19:00”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me menaxherin e kompanisë në fjalë, i cili tha se njëri nga taksitë ka qenë pa asnjë pasagjer, ndërsa tjetri me vetëm një pasagjer mbrapa, në momentin kur është gjobitur.
“Dy taksistë të kompanisë tonë janë gjobitur sonte nga policia. Njëri nga ta ka qenë pa asnjë pasagjer, pra ka qenë duke u kthyer pasi e ka kryer shërbimin. Ndërsa, tjetri ka pasur vetëm një pasagjer në ulësen mbrapa. Për këtë, nesër do të dërgojmë ankesë në Inspektorat Policor”, tha ai.
Komuna e Pejës bashkë me nëntë komuna të tjera bëjnë pjesë në zonën e kuqe, ku sipas vendimit të fundit të Qeverisë kundër përhapjes së COVID-19, lëvizja e qytetarëve është e ndaluar nga ora 19:00 deri në orën 05:00. Por, në të njëjtin vendim pika e nëntë thotë se “Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes”. /Gazeta Sinjali/