Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Me kërcënime është përballur dje edhe një zyrtar policor në Istog, i cili për rastin ka njoftuar organet e rendit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 40-vjeçar dyshohet ta ketë kërcënuar policin, me pretekstin se ky i fundit ka arrestuar vëllain e tij.
I dyshuari është arritur që të arrestohet në vendin e ngjarjes dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.