image 4 aktivistë të PSD-së dënohen me nga 200 euro gjobë

Kosovë

4 aktivistë të PSD-së dënohen me nga 200 euro gjobë

news image

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka njoftuar se 4 aktivistë të këtij subjekti janë dënuar me nga 200 euro gjobë, për shkak të një aktiviteti protestues të mbajtur në ndërtesën e kryeministrisë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ndëshkim politik në emër të ligjit mbi pandeminë. Sot, rastësisht morëm vesh se 4 aktivistë të PSD-së jemi dënuar me nga 200 euro gjobë për aktivitetin protestues që e kemi mbajtur në ndërtesën e kryeministrisë, ku tregonim pabarazitë e pakos ekonomike të qeverisë. Asnjë njoftim zyrtar nuk e kemi marrë për këtë dënim dhe arsyet e tij”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Tutje, i pari i PSD-së ka thënë se për më pak se 1 muaj, aktivistëve të partisë së tij u janë shqiptuar gjoba në vlerë të 1 mijë e 600 euro.

“Për më pak se 1 muaj, na janë shqiptuar gjoba në vlerë të 1,600 eurove për shkak të aksioneve politike publike të cilat i kemi organizuar si parti politike. Në të gjitha rastet është respektuar distanca dhe mbajtja e maskave. Nuk kemi shkaktuar asnjë rrezik lidhur me përhapjen e pandemisë”, ka thënë ai.

Në fund, Molliqaj ka thënë se çasja e institucioneve është diskriminuese, sepse sipas tij, LDK dhe VV, përgjatë tërë kohës po vazhdojnë fushatën në Besianë duke organizuar tubime e takime pa asnjë masë dhe nuk po dënohen.

“Ndërkohë, jemi dëshmitarë të një qasje diskriminuese dhe krejtësisht të pabarabartë të institucioneve. LDK dhe VV, përgjatë tërë kohës po vazhdojnë fushatën në Besianë duke organizuar tubime e takime pa asnjë masë dhe nuk po dënohen.

Dënimet që na janë shqiptuar neve janë tërësisht të padrejta dhe si të tilla unë nuk do t’i paguaj. Në mungesë të masave të duhura, qeveria ka zgjedhur përndjekjen dhe policimin e qytetarëve.

Kjo është e papranueshme. E drejta e protestës nuk guxon të cenohet në asnjë mënyrë. Çdo tentativë për të mbytur kundërshtimet përmes gjobave do të jetë e paefektshme”, ka përfunduar Molliqaj./Gazeta Sinjali/