Një 37-vjeçar i kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë pasi ishte dënuar për sulm ka rënë sot në prangat e Policisë. Arrestimi i tij u krye pak më ndryshe. Kjo pasi i njëjti ia bëri “gropën” vetes kur e telefonoi Policinë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se personi i kërkuar nga Gjykata ka denoncuar sot një rast të vjedhjes së rëndë që dyshohet të ketë ndodhur në Hajvali.
Në momentin që njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes kanë intervistuar 37-vjeçarin. Gjatë verifikimit ka rezultuar se ndaj të dyshuarit ekziston një urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Sipas kësaj urdhërese, 37-vjeçari kërkohej për veprën penale “Sulm” dhe në bazë të saj ai duhet të dërgohet në qendrën e mbajtjes në Dubravë që ta vuajë dënimin.
I dyshuari, pas arrestimit është dërguar në stacion dhe më pas është dërguar në qendrën e mbajtjes në Dubravë.