Mbrëmjen e së premtes, një person i maskuar ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të një autobusi, që si pasojë la të vdekur tre persona, shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës të shkollës së mesme, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.
Për gjetjen e përgjegjësit që ka kryer këtë vrasje të trefishtë, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë thënë që janë mobilizuar, mirëpo edhe pas 36 orëve asnjë i dyshuar nuk është kapur.
Prokuroria e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të Kosovës, që për çfarëdo informacioni kanë në lidhje me autorin e krimit t’i informojnë organet e drejtësisë.
Kërkimi po vazhdon nga të gjitha anët, teksa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se kanë marrë informacione të shumta në lidhje me ngjarjen.
Sahide Gashi, prokurore e rastit ka thënë se janë duke intervistuar shumë persona dhe se kanë bastisur një shtëpi në lidhje me rastin.
Përmes një konference për media, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacione për sulmin e mbrëmshëm në Gllogjan të bashkëpunojë me policinë.
Ai i ka shpallur ultimatum autorit/ autorëve të krimit në Gllogjan që të dorëzohen.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se kanë rreth tri pista hetimi në lidhje me ngjarjen që tronditi Gllogjanin të premten.