Konfliktet dhe zënkat mes qytetarëve ndodhin për shkaqe të ndryshme e shpeshherë motivet për to janë edhe banale. Fjalosjet e mosmarrëveshjet në shumë raste eskalojnë edhe në kërcënime e sulme fizike mes njëri-tjetrit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në fshatin Gjurakoc të Istogut, ku një person ka kërcënuar shoferin që bën transportin e fëmijëve në shkollë.
Sinjali mëson se 33-vjeçari i revoltuar me shoferin që s’merrte vajzën e tij për ta dërguar në shkollë, i ka dalë në pritë 29-vjeçarit i cili ishte duke transportuar fëmijët për në shkollë.
I dyshuari e ka ndalur furgonin dhe i është afruar shoferit të cilin në prani të fëmijëve e ka kërcënuar duke i thënë se do ta shohin më vonë.
Të njëjtit i ka kërkuar llogari për faktin qe nuk e merr vajzën e tij ta dërgojë në shkollë e për çka shoferi i tha se duhet ta paguajë dhe nuk ka vende të lira.
Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë ku ka bërë me dije se nga veprimi i të dyshuarit janë shqetësuar dhe frikësuar edhe fëmijët.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku në prani të policëve ka thënë se do ta shkatërrojë viktimën.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.