Në Shqipëri sot kujtohet dita e rënies së bustit të Enver Hoxhës, 25 vjet më parë në qendër të kryeqytetit.
Mijëra qytetarë u ngritën më 20 shkurt të vitit 1991 për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.
Rrëzimi i shtatores së Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. 20 Shkurti tani është caktuar si Dita e Kujtesës kombëtare për Martirët dhe Viktimat e regjimit komunist. Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.
Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.
Rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha do të shënonte edhe ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë. /Gazeta Sinjali/