Shpesh herë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e shantazhet ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një vajzë e re në qytetin e Ferizajt ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi ka deklaruar se është në hall me personin që dikur kishte një lidhje dashurie.
Sinjali mëson se 27-vjeçari dyshohet se tash e një kohë përcjell viktimën dhe të njëjtës i dërgon mesazhe kërcënuese duke i thënë se do t’ia publikojë videot intime të cilat i kishin bërë gjatë kohës që kanë qenë në lidhje.
25-vjeçarja ka bërë me dije para hetuesve policorë se i dyshuari gjatë gjithë kohës sa ishin bashkë ka ushtruar dhunë psikike e madje edhe fizike, mirëpo nuk e kishte raportuar atë në Polici.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ai ka mohuar të ketë ngacmuar ish të dashurën e tij, të cilën e akuzon se i bën presion që të ndahet nga bashkëshortja e tij dhe të vazhdojë jetën me të.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’ dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.