Dy persona janë arrestuar nga policia në Portin e Durrësit pasi u kapën duke transportuar rreth 13 kilogramë heroinë, të ndarë në pako, nga Durrësi drejt Milanos.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano” dhe Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.
Gjatrë kontrollit të mjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vjën e dytë, autobusin e linjës “Durrës-Milano”.
Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
-M. P., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano”;
-P. R., 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. P. iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.
Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.