image 226 raste të reja me koronavirus për 1 javë në Kosovë

Shëndetësi

226 raste të reja me koronavirus për 1 javë në Kosovë

news image

Që nga 13 marsi, kur në Kosovë u konfirmuan dy rastet e para me koronavirus, deri më sot janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 384 raste, shkruan Gazeta Sinjali.

Sonte janë shënuar 58 raste pozitive me koronavirus, duke e çuar në 226 numrin e rasteve pozitive gjatë kësaj jave.

Numri i rasteve që u konfirmuan këto 7 ditë përbëjnë 17 përqindëshin e rasteve të përgjithshme.

Rritja e dukshme e rasteve të reja nisi para një jave, më 6 qershor kur u regjistruan 36 raste dhe vazhdoi më 7 qershor me 40 raste, më 8 qershor me 29 raste, më 9 qershor me 6 raste, më 10 qershor me 29 raste, më 11 qershor me 28 raste dhe më 12 qershor me 58 raste.

IKSHPK-ja ka ditë që tërheq vërejtjen se lehtësimi i masave mund të bëjë që të krijohen vatra të reja të koronavirusit.

“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare dhe shëndetësore për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të paparashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Aktualisht, në Klinikën Infektive në Prishtinë janë të shtruar 28 pacientë me koronavirus./Gazeta Sinjali/