image 22 të vrarë, në mesin e tyre 9 fëmijë, nga sulmet izraelite në Palestinë

Botë

22 të vrarë, në mesin e tyre 9 fëmijë, nga sulmet izraelite në Palestinë

news image

Vendet në të gjithë botën kanë apeluar për qetësi, pas disa ditësh trazirash të përfshira në sulme hakmarrëse nga Izraeli dhe Palestina.

SH.B.A., Bashkimi Evropian dhe MB kanë nxitur Izraelin dhe Palestinën të ulin tensionet sa më shpejt të jetë e mundur.

Dhuna u përshkallëzua të hënën në mbrëmje pasi militantët palestinezë hapën raketa drejt Jeruzalemit.

Si përgjigje, ushtria izraelite nisi sulmet ajrore kundër caqeve të militantëve në Rripin e Gazës, raporton BBC, përcjell Gazeta Sinjali.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë në Gaza thanë se 22 vetë, përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë sulmeve. Ushtria e Izraelit tha se të paktën 15 anëtarë të grupit Hamas që sundon Gaza ishin midis të vrarëve.

Hamas kishte kërcënuar të godiste pasi qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite në një vend të shenjtë në Jeruzalem të hënën.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se Hamasi kishte “kaluar një vijë të kuqe” dhe se Izraeli do të përgjigjej “me forcë të madhe”.

Ditët e kaluara është parë dhuna më e rëndë në Jeruzalem për vite me radhë.

Përballje gjithnjë e më të dhunshme midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në një kompleks në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit kanë kërcënuar të shkaktojnë një konflikt më të gjerë.

Palestinezët janë zemëruar për kufizimet në hyrjen në kompleks, ku është vendosur xhamia al-Aqsa – vendi i tretë më i shenjtë në Islam – së bashku me Malin e Tempullit – vendi më i shenjtë në Judaizëm.

Paraditën e së martës, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, një grup humanitar, tha se më shumë se 700 palestinezë ishin plagosur në përleshjet me forcat izraelite të sigurisë në Jeruzalem dhe përtej Bregut Perëndimor./Gazeta Sinjali/