image 200 mijë biznese të regjistruara në Kosovë, vetëm 33 mijë kanë arka fiskale

Kosovë

Ekonomi/ 200 mijë biznese të regjistruara në Kosovë, vetëm 33 mijë kanë arka fiskale

news image

Në Kosovë shumica e bizneseve që operojnë në treg ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve kompetente për tu pajisur me arka fiskala. Procesi i fiskalizimit të bizneseve ka filluar qysh para 10 vitesh por në fakt rezulton se shumë prej tyre nuk janë fiskalizuar.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, më saktësisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, janë të regjistruara rreth 200 mijë biznese. E deri më tash procesin e fiskalizimit e kanë kryer vetëm rreth 33 mijë biznese.

Qëllimi i procesit të fiskalizimit është që të regjistrohen të gjitha të hyrat dhe të dalurat e subjekteve afariste.

Drejtori përgjithshëm në Administratën Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, thotë për REL, se në shifrën e përgjithshme të bizneseve të regjistruara ende figurojnë edhe bizneset e shuara. Në bazë të të dhënave të ATK-së, Murtezaj thotë se ekzistojnë mbi 88 mijë tatimpagues.

Ai thotë se procesi i fiskalizimit do të jetë prioritet i Administratës Tatimore për vitin 2020, në mënyrë që të këtë trajtim të barabartë për të gjitha bizneset.

“Ky numër rreth 33 mijë tatimpagues të fiskalizuar janë pjesa dërmuese e bizneseve të mesme dhe të mëdha. Kurse pjesa tjetër që ka mbetur pa u fiskalizuar, janë biznese të kategorisë se vogël. Mirëpo, si do që të jetë, do të zbatojmë në tërësi ligjin dhe do të detyrojmë të gjithë ata që janë të obliguar të fiskalizohen, sepse ka edhe tatimpagues të tillë që ligji nuk i obligon të fiskalizohen, nëse nuk përdorin para të gatshme”, tha Murtezaj.

Bajram Shala, zëdhënës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në një përgjigje për REL, tha se numri i përgjithshëm të bizneseve të shuara është mbi 25 mijë. Nga ky numër, vetëm vitin e kaluar, veprimtarinë e tyre biznesore e kanë ndaluar rreth 1800 biznese.

Në raportet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë përbën më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Në rast të mosinstalimit të pajisjeve elektronike fiskale, sipas Ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës, çdo person i nënshtrohet një ndëshkimi administrativ prej një mijë eurosh për çdo shkelje të tillë. /Gazeta Sinjali.