Sot janë bërë 19 vjet prej kur është vrarë heroi Smajl Hajdaraj, shkruan Gazeta Sinjali.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, derisa e ka kujtuar atë në këtë përvjetor, ka kërkuar që vrasësit të dalin para drejtësisë.
“Sot u bënë 19 vjet nga vrasja e heroit Smajl Hajdaraj. Ai është njeriu që në mënyrë të natyrshme e ndërlidhi aktivitetin politik me atë ushtarak. La aktivitetin partiak për t`iu bashkuar luftës për liri. Me të përfunduar lufta, ai iu kthye aktivitetit politik, teksa përpjekja e tij për të kontribuuar më tej në paqe u ndal dhunshëm nga një atentat i kryer 19 vjet më parë. Misioni i politikanit e luftëtarit për lirinë e vendit do të ketë kuptim kur vrasësit do të përgjigjen para drejtësisë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Smajl Hajdarajn!”, ka shkruar kandidatja për presidente Vjosa Osmani në Facebook.
Smajl Hajdaraj ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Rugovës. Hajdaraj, ka qenë edhe ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.