image 18-vjeçari në Kamenicë i rrah dhe i përzë nga shtëpia nënën dhe vëllain

Siguri

18-vjeçari në Kamenicë i rrah dhe i përzë nga shtëpia nënën dhe vëllain

news image

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. E një rast i tillë është raportuar dje pasdite në fshatin Strezovc të komunës së Kamenicës, ku një 18-vjeçar ka sulmuar fizikisht nënën dhe vëllain e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se e gjithë ngjarja kishte ndodhur më 8 maj, kur i dyshuari bashkë me vëllain kishin shkuar në shtëpinë e nënës së tij në Strezovc, ku më pas kishin pasur një mosmarrëveshje.

Sinjali mëson se pas mosmarrëveshjes 18-vjeçari i ka sulmuar fizikisht nënën dhe vëllain me të cilin shkoi në fshat, duke i goditur ata me shkop.

I dyshuari nuk u ndal me aq, pasi që tri ditë pasi ndodhi rasti, i dëboi nga shtëpia e familjes nënën dhe vëllain e tij, me ç’rast këta të fundit denoncuan rastin në Polici, ku më pas pranuan edhe tretman mjekësor shkaku i lëndimeve trupore që u ka shkaktuar 18-vjeçari.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare e Shtetit, me urdhër të së cilës 18-vjeçarit i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/