image "Kurrë nuk keni me e pa më vajzën tuaj", 15-vjeçarja nga Gjakova qe gjashtë muaj e zhdukur

Kosovë

Tronditëse/ “Kurrë nuk keni me e pa më vajzën tuaj”, 15-vjeçarja nga Gjakova qe gjashtë muaj e zhdukur

news image

15-vjeçarja Yllka Derri nga Gjakova po vazhdon të jetë e zhdukur qe gjashtë muaj, ndërsa prindërit e saj nuk dinë asgjë për fatin e saj. Familja dyshon se me vajzën e tyre është B.R, 17-vjeçar në bazë të konfirmimit që kishin marr nga babai i tij. Familja pretendon se edhe komandanti i Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj u pajtua me ‘zhdukjen’. Ky i fundit i mohon akuzat.

Yllka Derri më 14 qershor të këtij viti ishte nisur për në shkollë, ku kishte qenë duke vijuar mësimet në klasën e nëntë. Vetëm dy orë pasi ishte nisur nga shtëpia, babai i Yllkes, Naimi, kishte marrë një thirrje telefonike, raporton Gazeta Sinjali.

Në telefon ishte lajmëruar Blerim Radosta, babai i B.R, 17-vjeçar me të cilin ishte duke qëndruar Yllka. Familjarët kanë treguar për Gazetën Sinjali se Radosta i kishte thënë Naimit se vajza është me djalin e tij.

Marrëdhëniet mes dy familjeve nuk ishin aspak të mira, për shkak se prindërit e Yllkës nuk ishin pajtuar që vajza e tyre të kalojë në një fazë të tillë ‘martesore’ si 15-vjeçare. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore të Gjakovës, por vajza e tyre vazhdon të mbetet e zhdukur edhe pas gjashtë muajve.

Nëna e Yllkës, Teuta Derri, ka treguar për Gazetën Sinjali, se vajza e saj, dy ditë pasi ishte raportuar e zhdukur, ajo kishte kaluar kufirin, duke u futur në Malin e Zi. Pretendimet e saj janë se e gjithë familja kishte kaluar kufirin për në Malin e Zi.

Ajo thotë se Blerimi me bashkëshorten, dy vajzat si dhe me djalin e tij B.R, 17-vjeçar kanë shkuar në Malin e Zi. Dyshimet e saj janë se edhe Yllka së bashku me familjen Radosta kishte udhëtuar në Malin e Zi.

“Qe gjashtë muaj e kemi vajzën të zhdukur, e di Policia e Kosovës së ku është e di Prokuroria e Gjakovës, po asgjë hiç nuk është ka veprohet. Ndoshta ata janë duke punuar, por për ne nuk është duke pasur asnjë rezultat”.

 “Çika u nis me shku në shkollë dhe pas dy ore baba i djalit që është duke qëndruar me të e ka njoftuar burrin tim se vajza juaj është me djalin tim dhe pas dy dite e gjithë ajo familje, me burrin, gruan, dy vajzat dhe me djalin kanë kaluar kufirin në Malin e Zi. Fajtor është babai i vet sepse ai i ka qitë në Mal të zi. Ne po dyshojmë, por edhe Policia e Kosovës se me pasaportë të njërës prej vajzave të tij e ka nxjerr vajzën time nga Kosova”, ka deklaruar nëna e Yllkës për Gazetën Sinjali.

Me tutje ajo thotë se familja e cila e mban Yllkën, po shantazhon familjen Derri. Nëna e Yllkës thotë se kanë dërguar persona tek familjarët e saj për t’i hequr denoncimet në Policinë e Kosovës, në të kundërtën ajo pretendon se janë kërcënuar se nuk do ta shohin kurrë më vajzën e tyre.

“Prej datës 14 qershor asgjë nuk dimë për vajzën 15-vjeçare. Policia na ka thënë se po merren me rastin, por neve po na zvarritet shumë ky rast. Tash kohën e fundit u shku tek baba im dhe ka thënë nëse mi heqin denoncimet unë ja kthej çiken për 48 orë, por ne nuk mund t’i heqim denoncimet që i kemi bërë dhe në anën tjetër nëse nuk i heqim nuk e shohim më çikën tonë”, ka deklaurar ajo, raporton Gazeta Sinjali.

Pretendimet e Teutës, shkojnë edhe më tutje. Ajo pretendon se edhe komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj, i kishte dhënë një paralajmërim të tillë se më nuk do ta shohin vajzën e tyre.

“Personalisht Kristë Gjokaj më ka thënë mua, burrit dhe hetuesit të njëjtat fjalë siç na ka thënë babai i djalit se ‘kurrë nuk keni me e pa vajzën tuaj më’ nëse e lajmëron në polici. Të njëjtat fjalë na i ka thënë edhe Kristë Gjokaj. Blerimi na kishte thënë se nuk ka polici as nuk ka asgjë që mund të ju ndihmoj dhe në të vërtetë kështu edhe po del”, ka deklaruar Teuta për Gazetën Sinjali.

Por Kristë Gjokaj, në një bisedë të shkurt me Gazetën Sinjali, ka mohuar se t’i ketë thënë këto fjalë familjes. Ai thotë se ka biseduar disa herë me familjarët për t’iu bërë zgjidhje, por asnjëherë nuk ka mundur.

“Kemi biseduar disa herë dhe kemi bërë përpjekje maksimale për ta gjetur, por fatkeqësisht rezultatet janë siç ua kemi dhënë për zyrës së informimit. ”, ka deklaruar ai.

Të vetmen herë kur Yllka kishte biseduar me nënën e saj që pas zhdukjes së sa saj, kishte qenë më 18 qershor. Pas bisedës babait i Yllkës ishte alivanosur.

“Më datën 18.06.2019 rreth orës 23.30 është të lajmëruar vajza për herë të parë dhe të fundit, duke thënë se po flet me telefon të Besartit: “pajtohuni se jam shumë larg në Greqi duke pritur transportin për Itali”. Në atë moment Naimi është alivanosur dhe kemi shkuar në emergjencë”, thuhet në ankesën e familjes në Gjykatën e Apelit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën  Sinjali, se 15-vjeçarja vazhdon të mbetet e zhdukur dhe se sipas tyre është punuar intensivisht për gjetjen e vajzës, por që deri më tani nuk kanë arritur që ta gjejnë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, i ka thëne Gazetës Sinjali se për këtë rast është arrestuar një person i dyshuar dhe se rasti është në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

“Me datë 15.06.2019 në ora 09:15 në stacionin policor Gjakovë ka ardhur ankuesja T. D, egjiptiane/ kosovare e cila ka raportuar se vajza e saj e mitur ishte larguar nga shtëpia”.

“Policia në Gjakovë ka punuar intensivisht në gjetjen e vajzës së mitur dhe gjatë hetimeve ka arrestuar edhe një person të dyshuar për mundësim të veprës penale ‘Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare’, dhe rasti është dërguar me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë me datë 30.07.2019”.

Më tutje ajo ka thënë se janë intervistuar shumë persona dhe janë kontrolluar disa lokacione, por që dyshimet sipas Policisë së Kosovës janë se e mitura është jashtë vendit.

“Edhe pse janë ndërmarr shumë veprime operativo hetimore sektori i hetimeve nga stacioni policor Gjakovë nuk kanë arritur të gjejnë vendndodhjen e viktimës.  Me datë 16.10.2019 për shkak të peshës së veprës dhe ndjeshmërisë së rastit ky rast është transferuar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime. Gjithashtu edhe ky sektor ka ndërmarr shumë veprime operativo hetimore në koordinim me prokurorin e çështjes, janë intervistuar disa persona, janë kontrolluar disa lokacione të dyshuara por deri më tani edhe përkundër përpjekjeve maksimale nuk është gjetur viktima e as personi i cili dyshohet se është në shoqërimin e viktimës për të cilët ekziston dyshimi se gjenden jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e Podrimajt.

Pas pak Gazeta Sinjali publikon mesazhin e fundit të 15-vjeçares dërguar familjes./Gazeta Sinjali/

Fotografia e të miturës është publikuar me kërkesë të familjes që kushdo nga qytetarët që e sheh ta njoftoj Policinë e Kosovës.