image 15 urdhër-arreste, SPAK aksion në 4 qytete të Shqipërisë: Në pranga prokurori, biznesmeni dhe ish-shefi

Shqipëri

15 urdhër-arreste, SPAK aksion në 4 qytete të Shqipërisë: Në pranga prokurori, biznesmeni dhe ish-shefi

news image

15 urdhër-arreste janë lëshuar nga SPAK e cila ka urdhëruar një operacion të gjerë që u shtri në disa qytete, mes tyre Tirana, Shkodra dhe Kukësi që deri më tani ka çuar në pranga të paktën 6 persona. Mes tyre janë edhe zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe një biznemmen.

Nga informacionet e publikuara deri më tani thuhet se në pranga kanë rënë, ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe biznesmeni i njohur Pëllumb Gjoka.

Ende nuk është konfirmuar se çfarë shkeljesh kanë kryer këta persona, por operacioni ka qenë shumë i gjerë dhe mund të jenë edhe persona të tjerë të arrestuar. 

Paraprakisht raportohet se mbi ta rëndojnë vepra të ndryshme penale, si shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale dhe grup i strukturuar kriminal.

Një reagim për operacionin e pati edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili konfirmoi se janë arrestuar “eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin”.

Pritet që SPAK të dalë në një konferencë për shtyp për të dhënë informacione të sakta mbi numrin e të arrestuarve, emrat dhe akuzat që rëndojnë mbi to.

/GazetaSinjali/