12 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur pasi flakët përfshinë të premten një traget që lundronte nga Greqia në Itali, thanë autoritetet greke të shtunën, ndërsa zjarrfikësit u përpoqën për të dytën ditë të vinin nën kontroll zjarrin dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë po tërhiqnin anijen drejt bregut.
241 pasagjerë dhe 51 anëtarë ekuipazhi ishin në bord kur shpërtheu zjarri të premten herët dhe anijet e shpëtimit zhvendosën pjesën më të madhe të 280 personave të shpëtuar në ishullin e afërt të Korfuzit.
Trageti u përfshi nga flakët ndërsa udhëtonte nga Igumenica, një port në Greqinë Perëndimore, për në portin italian të Brindizit.
Pasagjerët e humbur janë nga Bullgaria, Greqia, Turqia dhe Lituania, tha roja bregdetare greke dhe të afërmit e tyre prisnin në ankth për lajme të reja.
“Jam shumë i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të ndodhë,” i tha televizionit shtetëror nga Korfuzi Ilias Gerontidakis, djali i një shoferi grek kamioni.
Pamjet ajrore të lëshuara nga roja bregdetare greke të premten tregonin kamionë të djegur në kuvertën pasi flakët përfshinë anijen, të agjencisë Grimaldi Lines.
Të premten vonë, ekuipazhet greke shpëtuan dy persona, një shtetas bullgar dhe një afgan, të cilët nuk ishin në listën zyrtare të personave të zhdukur.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë tha se në traget ishin 127 bullgarë.
Shumica e të shpëtuarve u dërguan në hotele në Korfuz.
“Kam kaq vite që udhetoj, nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë më parë,” tha shoferi grek i kamionit, Giorgos Parlatzas, 50 vjeç, i cili u evakuua nga anija.
Një prokuror ka urdhëruar një hetim për incidentin, tha roja bregdetare greke, raporton VOA.