Mbrëmë janë konfirmuar edhe 53 raste pozitive me koronavirus, duke e çuar në 1 mijë e 437 numrin e përgjithshëm të të prekurve, shkruan Gazeta Sinjali.
Vetëm në dy ditët e fundit në vendin tonë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë regjistruar edhe 111 raste të reja me COVID-19.
Duke e parë shkallën e rritjes së koronavirusit, infektologu Izet Sadiku, ka bërë thirrje që qytetarët edhe më tutje të vazhdojnë të përdorin maska, të mbajnë distancë e higjienë.
Sipas Sadikut, pandemia me COVID-19 ende nuk ka kaluar dhe për këtë arsye duhet edhe mbikëqyrje më e madhe nga autoritetet përgjegjëse.
Kujtojmë se, që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë testuar gjithsej 18 mijë 247 persona, prej tyre 1 mijë e 437 raste kanë rezultuar pozitiv. Nga ky numër i përgjithshëm 32 prej tyre kanë vdekur dhe 928 janë shëruar.
Ndërsa aktiv janë edhe 476 raste./Gazeta Sinjali/