image 10 vjet burgim për ish-policin që vrau Klodian Rashën

Shqipëri

10 vjet burgim për ish-policin që vrau Klodian Rashën

news image

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 10 vjet burgim ish-policin, Nevaldo Hajdaraj, që vrau 26-vjeçarin, Klodian Rashën, më 8 dhjetor të vitit 2020.

Dënimi fillestar ishte me 15 vjet burgim, mirëpo për shkak të gjykimit të shkurtuar u hoqën pesë vjet.

Gjatë seancës së sotme, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”, si dhe kërkoi të dënohet në minimum.

Vetë Hajdaraj nuk foli, por avokati shprehu pendesë nga ana e tij, raporton Euronews.al, përcjell Gazeta Sinjali.

Menjëherë pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Tiranës, babai i viktimës, Qazim Rasha e quajti të padrejtë këtë vendim.

Si mund ta quash drejtësi kur çdo gjë është e qartë, çdo gjë është zbardhur, çdo gjë është e fushës dhe me një të rënë të lapsit, njëherë i jep gjykim të shkurtuar, kur ai mund ta bëjë shembull. Është rast ekzemplar. Shteti mund të bëjë punën e vet.”

Shpresoj që kjo drejtësia e re që po ngrihet ca llumra t’i fshijë se janë akoma nëpër këmbë, absolutisht as unë dhe as të tjerë nuk mund ta gjejë. Që ditën e parë kam kërkuar drejtësi, por me këtë drejtësi nuk mund ta gjejë as unë dhe askush”, u shpreh prindi i Klodian Rashës.

Vrasja e Klodian Rashës shkaktoi një valë protestash në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Si reflektim për ngjarjen e rëndë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kishte dhënë dorëheqjen nga posti që mbante. /Gazeta Sinjali/