image Ferizaj: 10 vite burgim për burrin që vrau bashkëshorten për shkak të xhelozisë - Sinjali

Ferizaj: 10 vite burgim për burrin që vrau bashkëshorten për shkak të xhelozisë

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me dënim unik prej 10 vitesh burgim efektiv të akuzuarin Afet Gunter Vila për vrasjen e gruas më 2002 në Gjermani dhe për therje me thikë të shoqes e vajzës së gruas.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Gunter Vila u shpall të enjten nga gjykatësja Kadrie Goga-Lubishtani.

Sipas aktgjykimit, për veprën penale “Vrajse” nga dispozitivi i parë, i akuzuari u dënua me 8 vite burgim, ndërsa për veprën penale “Plagosje e rëndë” nga dispozitivi i dytë, me 3 vite burgim. Ndaj të njëjtit, gjykata shpalli dënim unik në kohëzgjatje prej 10 vitesh burgim efektiv.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 9 nëntor 2002, në dhomën e pritjes të banesës së përbashkët familjare në rrugën “Dietrichstrase”, nr.4 në Bad Oeynhause, Republika e Gjermanisë, Afet Gunter Vila me dashje e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij I.G., pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishte me tani të ndjerën gjatë periudhës njëvjeçare sa kishin jetuar së bashku në banesë.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të xhelozisë që i pandehuri e kishte ndaj bashkëshortes së tij, për të cilën dyshonte se po e tradhtonte me persona të tjerë, në ditën kritike i pandehuri kishte tentuar ta marrë në telefon disa herë, por bashkëshortja e tij nuk ishte lajmëruar pasi e kishte harruar telefonin në banesë, derisa me shoqen e saj D. kishin shkuar për të marrë me qira disa CD me filma.

Tutje, sipas dispozitivit I të aktakuzës, me t’u kthyer në banesë bashkëshortja e të pandehurit me shoqen e saj, ku aty po qëndronte dhe vajza e saj H., i pandehuri fillimisht i kërkon llogari bashkëshortes se pse nuk është përgjigjur në telefon, duke ngritur zërin vazhdimisht, kurse I. kishte tentuar ta bind se telefonin e kishte harruar në banesë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri pas kësaj ishte acaruar dhe më shumë duke e përmbysur një tavolinë, e pastaj I. e kishte kërcënuar me fjalët “Ti do të vdesësh”, kurse D., shoqes së I. i kishte kërkuar që të largohej nga banesa, me ç’rast e njëjta kishte refuzuar.

Pastaj, i pandehuri, e kishte kapur me dy duar për supe I., duke e shkundur para-mbrapa, e cila arrin ta largojë të pandehurin, mirëpo i njëjti e kishte tërheq për flokë, me ç’rast kishin ndërhyrë D.-shoqja e saj dhe H.-vajza e saj që ta largojnë nga i pandehuri.

Por, sipas aktakuzës, i pandehuri atëherë kishte marrë një thikë nga kuzhina me teh rreth 20 cm, me të cilën kishte goditur një herë D.-shoqen e I. në pjesën e kraharorit e pastaj H.-vajzën e I. në pjesën e barkut, e pastaj ishte afruar I., të cilën e kishte goditur tri herë me thikë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse për shkak të gjakderdhjes së madhe, kështu e njëjta të nesërmen kishte vdekur në spitalin e Bad Oeynhausen-it.

Me këtë, i akuzuari thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja” nga neni 30, paragrafi 1 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Sipas dispozitivit II të aktakuzës, i pandehuri akuzohej se më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje i kishte shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarës H.G. (vajzës së të ndjerës I.G., e moshës 14 vjeçare) dhe D.K. (shoqja e të ndjerës), në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke u grindur me tani të ndjerën I.G., e dëmtuara D.K. kishte tentuar të thërrasë policinë përmes telefonit.

Atëherë, i pandehuri thuhet se me thikë kuzhine me gjatësi 20 cm kishte goditur të dëmtuarën D.K. në anën e djathtë të kraharorit duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese tamgjenciale, të cilat kishin shkaktuar dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin e të dëmtuarës.

Tutje, aktakuza thotë se më pastaj i pandehuri kishte goditur të dëmtuarën H.G.- vajzën e të ndjerës, në pjesën e barkut, duke i shkaktuar plagë prerëse në anën e majtë të abdomenit me dëmtim të zorrës së hollë, gjakderdhje arteriale, dëmtim i apendiksit (zorrës qorre), në retroperitoneum, me ndërhyrje operative, heqje të një pjese të zorrës së hollë dhe apendiksit, të cilat kanë shkaktuar dëmtime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën e të dëmtuarës në momentin e shkaktimit.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Plagosja e Rëndë” nga neni 38, paragrafi 2 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin