image 1 muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij

Siguri

1 muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij

news image

Sot janë bërë 1 muaj prej kur Bedri Rexhepi është raportuar si i zhdukur nga familjarët e tij dhe deri më tani ende askush nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të tij. Kështu organet e shtetit të Kosovës kanë dështuar në gjetjen e gjurmëve të tij, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi se kur Rexhepi u raportua si i zhdukur më 8 prill të këtij viti, ai dyshohet se kishte me vete rreth 30 mijë euro para të gatshme. Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe vëllai i tij Adnani, por i cili ka thënë se nuk kanë informacion se sa ishte shuma e tyre.

I riu nga Lipjani kishte në pronësi një biznes “Rent a Car” dhe dyshohet se motivi i rrëmbimit të tij ka të bëjë pikërisht me punën që bënte ai.

Kujtojmë që i dyshuari kryesor për rrëmbimin e Bedri Rexhepit është Jeton Vllasaliu, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 14 prill të këtij viti.

Një ditë pas prangosjes, Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesën e prokurorisë së këtij rajoni, ia ka caktuar Vllasaliut masën e paraburgimit, e cila do t’i llogaritet deri më 13 maj të këtij viti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pati deklaruar për Sinjalin se nuk mund të konfirmojë asnjë informacion, për shkak të “ruajtjes së integritetit të procedurës”.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet rreth këtij rasti. Andaj, për shkak të ruajtjes së integritetit të kësaj procedure nuk mund të ndajmë me ju informata shtesë”, thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/