Vendimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për t’i dhënë Turqisë 1 milion dollarë ndihmë pas tërmeteve shkatërruese, është raportuar si lajm në disa media në Turqi.
Agjencia shtetërore e lajmeve, “Anadolu Agency”, raportoi për vendimin e Ramës për ta dhuruar shumën e konsiderueshme të të hollave në fushatën “Turqia, Një Zemër”, e cila u organizua për grumbullimin e fondeve për njerëzit që kanë pësuar nga tërmetet e javës së kaluar.
“Ne jemi një vend i vogël, por me zemër të madhe. Kurrë nuk do të harrojmë se çfarë bënë Turqia dhe presidenti Erdogan për ne më 2019, kur tërmeti e goditi Shqipërinë. Ne jemi të gatshëm për ta bërë më të mirën tonë për ta përkrahur popullin turk. Jam i sigurt se, duke iu falënderuar përpjekjeve të Turqisë, gjithçka do të arrihet”- tha Rama përmes telefonit.
Lajmi për dhurimin e një milion dollarëve nga Shqipëria për Turqinë u raportua edhe nga faqja turke e lajmeve në gjuhën angleze, “TRT World”.
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë shpallur një ditë zie për tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në Turqi e Siri.
Agjencia “Anadolu” raporton se Shqipëria ishte në mesin e vendeve të para që i kanë përçuar ndihmë Turqisë pas tërmeteve të 6 shkurtit.