image 1 mijë euro nga Qeveria nëse hiqni shporetin e druve

Rajon

Rajon/ 1 mijë euro nga Qeveria nëse hiqni shporetin e druve

news image

Qytetarët e Shkupit, Tetovës, Kërçovës dhe Manastirit nëse vendosin ta ndryshojnë mënyrën e ngrohjes së shtëpive të tyre, do të marrin nga 1 mijë euro subvencione nga shteti.

Këto para do të jepen për zëvendësimin e shporeteve të vjetër për ngrohje me kondicionerë Inverter. Fondi i përgjithshëm është deri në 4 milionë euro, ndërsa paratë do t’i sigurojë kompania shtetërore SHA Elektrana.

Autoritetet nuk shpalosën më shumë hollësi, pasi thanë se pritet dritë jeshile nga Qeveria për fillimin e zbatimit të kësaj mase. Nëse kjo masë jep rezultatet e duhura, autoritetet paralajmërojnë zgjerimin e numrit të qyteteve por edhe fondeve për vitin e ardhshëm.

Por, ambientalistët ndajnë shqetësimin se këto masa janë të vonuara. Pritjet e tyre janë se stacionet për matjen e ndotjes edhe këtë dimër do thyejnë rekorde botërore negative.

“OJQ-të kërkojnë strategji shtetërore afatgjate, e jo masa që deri tani janë aplikuar dhe nuk kanë dhënë rezultate. Të gjitha subvencionet janë të vonuara, tani u publikuan për projektet e komunave dhe ne nuk dimë sa nga ato subvencione do të realizohen.

Ja, edhe nëse realizohen, a janë ato vetëm në një vend të caktuar apo të shpërndara në rajone dhe si do ndikojë kjo në tërë ndotjen. Sipas nesh kjo nuk do të ndikojë shumë.

Ndotja është aq e madhe që nevojitet qasje sistemore në shumë nivele, jo vetëm te amvisëritë, por edhe në komunikacion edhe në kapacitetet industriale, mbeturinat” – deklaroi Nevena Georgievska, Nisma O2.

Këto katër qytete për momentin janë të privilegjuar pasi kryesojnë listën e qyteteve më të ndotura jo vetëm në vend por edhe në suaza botërore.

Masë të këtillë aplikoi edhe Qyteti i Shkupit prej ku thanë se 840 qytetarë kanë aplikuar për subvencione për kondicionerë pasi ato i kanë zëvendësuar shporetet me dru dhe të njëjtit nuk kanë qenë të kyçur në ngrohjen qendrore të qytetit.

Kjo masë financohet nga buxheti i Qytetit të Shkupit në vlerë prej 50% nga vlera e pajisjes, por jo më shumë se 500 euro.