image ​Z-Mobile i jep Telekomit afat 6 muaj për t'i paguar borxhet

Kosovë

​Z-Mobile i jep Telekomit afat 6 muaj për t’i paguar borxhet

news image

Borxhi prej afër 23 milionëve që ka Telekomi ndaj Z-Mobile, për refuzim të kërkesës për dhënien e 100 mijë numrave për Z-Mobile, është kërkuar që të paguhet brenda gjashtë muajve, përndryshe do të bllokohen xhirollogaritë e Telekomit.

Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

“Është zhvilluar një takim në ministrin, ne nuk kemi qenë të informuar për këtë takim. Nga burimet tona brenda takimit, kemi marrë informata që në atë takim kanë qenë përfaqesuesit e kompanisë ishZ-Mobile, përfaqësueses të Qeverisë dhe Telekomit, ku këto të fundit e kanë ofruar një marrëveshje për pagesën e borxhit ndaj Z-Mobile, të cilën ata e quajnë pagesë, ndërsa për neve si sindikatë është i papranueshëm ai borxh. Sipas informatave, Qeveria i ka ofruar deri 250 mijë euro në muaj, ndërsa përfaqësuesit e Z-Mobile kanë qenë kategorikisht kundër, kanë kërcënuar me bllokimin e xhirollogarive të Telekomit dhe kanë kërkuar që borxhi të paguhet në gjashtë këste”, ka thënë Balaj.

Balaj ka deklaruar se nuk do të lejohet bllokimi i xhirollogarive. Ai ka thënë se po tentohet që një pjesë e aksioneve të Telekomit, të kalohen te Z-Mobile.

“Nuk do të lejojmë që të bëhet bllokimi i xhirollogarive sepse tashmë gjithçka është e qartë se në emër të këtij borxhi, në emër të kësaj afere, Z-Mobile është ka tentohet që një pjesë e aksioneve të Telekomit të shkojnë në Z-Mobile, por kjo është kapitull i mbyllur, domethënë nëse vdesin 2400 punëtorë, atëherë kjo mund të bëhet, por, derisa kjo kryesi i prinë kauzës së punëtorëve, atëherë një gjë e tillë ua garantojmë se nuk do të ndodhë”, thotë ai.

Balaj ka shtuar se do t’i besojë fjalës së ministrit, sepse ai iu ka dhënë fjalë se nuk do të lejojë që të bllokohen xhirollogaritë dhe se Qeveria e Kosovës, do ta merr në përgjegjësi Telekomin dhe borxhin e tij.

Ai ka thënë se këto kontrata i kanë nënshkruar përfaqësuesit e Telekomit të ardhura nga Qeveria, bordet e ardhura nga Qeveria dhe shkëputjen e tyre duhet ta bëjë prapë Qeveria.

E në rast se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i merr seriozisht kërkesat e Telekomit të Kosovës, Balaj thotë se situatën do ta marrin në dorë këta.

“Hapat tonë si sindikatë janë të qartë… është vendim i kryesisë, është marrë vendim për ta aktivizuar këshillin e grevave, këshilli i protestave dhe në rast se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i merr seriozisht kërkesat tona, atëherë hapat tonë janë të pashmangshëm që situata do të merret në dorë”, ka thënë ai.

Balaj gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria që të zgjidhet një bord i ri, pasi që siç thotë ai, duhet të zgjidhet një bord profesional të cilët e njohin telekomunikacionin dhe jo njerëz që punojnë për interesa të veta personale.

E ky takim është konfirmuar edhe nga këshilltari i ministrit të ekonomisë, Uran Haxha.

“Shefi i monitorimit të ndërmarrjeve publike, bashkë me zëvendësministrin Rexhep Sadriu, si dhe monitoruesit e Telekomit. Këta kanë qenë brenda takimit vetëm si përkrahës, si monitorues, jo si udhëheqës të takimit, ellit e takimit u kanë kryesuesi i bordit edhe bordi i Telekomit”, ka thënë Haxha.

Sa i përket propozimit që të paguhen mbi 200 mijë euro në muaj, Haxha ka thënë se kjo ka qenë ofertë e përfaqësuesve të Telekomit, por Qeveria mund të jetë garantuese.

Haxha ka shtuar se nga ky takim nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe se kanë mbetur që të takohen prapë.

Për të njëjtin takim ka folur edhe zëdhënësi i Telekomit, Menduh Abazi, ku përmes emailit ka thënë se Telekomi nuk ka pasur vetëm një takim, por disa takime, vetëm për të gjetur një zgjidhje të mirë për këtë ndërmarrje.

/Gazeta Sinjali/