image Gjysmë milion euro të taksapaguesve kosovarë do të shpenzohen për mbrojtjen e AKP-së në Gjykatën e Arbitrazhit

Kosovë

Ekonomi/ Gjysmë milion euro të taksapaguesve kosovarë do të shpenzohen për mbrojtjen e AKP-së në Gjykatën e Arbitrazhit

news image

Rreth gjysmë milion euro pritet të shpenzohen nga buxheti i shtetit vetëm për zyrën ligjore në rastin ku Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është duke u përballur në Gjykatën e Arbitrazhit

Kjo agjenci ka shpallur tender që planifikon t’i shpenzojë fiks gjysmë milion euro për një kompani ligjore e cila parashihet të përfaqësoj dhe t’i mbrojë interesat e AKP-së, pasi kompania “Iming d.o.o” që është në kontest me AKP-në e ka dërguar rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Diana Metushi – Krasniqi nga Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), për Gazetën Sinjali ka thënë se kontrata do të jepet nën kriterin e ofertës dhe se AKP-ja është dashur që të fokusohet tek pjesa profesionale të ofertës.

“Pas rishikimit të Njoftimimit për Kontratë, shohim se kontrata do të jepet nën kriterin e ofertës së përgjegjshme ekonomikisht më të favorshme, megjithatë, duke pasur parasysh përvojat negative të Kosovës në përfaqësimet në Arbitrazh, besojmë se AKP ishte dashur të vejë një theks më të madh në pjesën profesionale të ofertës se atë të çmimit”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Sinjali.

Sipas njoftimit të bërë në kontratë, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate.

Krasniqi ka thënë se KDI është e shqetësuar për shpenzimet e mëdha nga qeveria për raste të arbitrazheve.

“Ne jemi gjithherë të shqetësuar lidhur me shpenzimet e mëdha nga ana e qeverisë, sidomos me veprimet e krijimit të parakushteve për shpenzime të tilla”, ka thënë ajo.

Në dy rastet e fundit, Kosova ka humbur 34.5 milionë euro në paditë në arbitrazh siç ishin kontestet me ‘pasaportat biometrike’ dhe kontrata me ‘Z-Mobile’.

Sipas Krasniqit nga KDI është edhe një rast i rrezikshëm për Kosovën, i cili ende nuk ka një vendim, është ai i padisë nga “ACP Axos Capital Gmbh” për privatizimin e 75% të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile VALA, me ç’rast nëse Kosova e humb rastin, mund të gjobitet me 180-500 milionë euro.

Siç bënë të ditur Krasniqi, për këtë rast, qeveria kishte ndarë 150,000 euro (2016) për përpunim dhe përfaqësim të lëndës para gjykatës së arbitrazhit.

Kujtojmë se në vitin 2016 në rastin me pasaportat biometrike, Gjykata e Arbitrazhit e Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris vendosi në favor të shtypshkronjës austriake, kurse vendimi parasheh pagesën prej 4.996 milionë eurosh dhe shpenzimet tjera.

Po këtë vit, Arbitrazhi kishte vendosur edhe për kontratën mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile ku sipas vendimit Telekomi obligohet t’ia paguajë kompanisë Z-mobile hiç më pak se 30 milionë euro për shkak të shkeljes së kontratës./Gazeta Sinjali/